
Kryeministri Edi Rama nis fazën e zbatimit të detyrave të përcaktuara gjatë mbledhjeve qeveritare dhe politike në Pogradec.
Të premten pasdite ai ka thirrur në selinë e Partisë Socialiste ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve. Takimi do të përqendrohet te konkretizimi i angazhimeve të përmbledhura në dokumentin “Besa”.
Një ditë më pas, Rama do të nisë nga Tirana një seri takimesh që do të shtrihet në të 12 qarqet. Në këto mbledhje do të përfshihen deputetët dhe përfaqësuesit politikë vendorë, të cilëve pritet t’u kërkohet raportim mbi detyrat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Në qendër të turit do të jetë edhe “Pasqyra Albania”, platforma që parashikohet të bashkojë në një hapësirë të vetme informacionin për punën e qeverisë, denoncimet dhe kërkesat e qytetarëve, si dhe ecurinë e zgjidhjes së tyre.
Dokumenti “Besa” dhe platforma e re synojnë të vendosin përgjegjshmërinë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë në themel të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve.






