
Familja Dalladaku në fshatin Zhymë të Lushnjës ka hapur dyert e mortit pas krimit të rëndë, ku Florion Dalladaku dyshohet se vrau nënën dhe plagosi rëndë babanë e tij me sqepar.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 21:20, brenda banesës së familjes. Nëna 80-vjeçare humbi jetën nga plagët, ndërsa babai 77-vjeçar u dërgua në spital dhe vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Pas sulmit, 45-vjeçari mori automjetin e vëllait dhe u largua nga banesa. Policia ngriti pika kontrolli dhe e lokalizoi pranë Spitalit Memorial në Fier, ndërsa po tentonte të dilte nga qarku. Ai u arrestua rreth një orë pas ngjarjes.
Banorë dhe të afërm të familjes deklarojnë se Florion Dalladaku kishte shfaqur prej vitesh probleme të shëndetit mendor dhe ishte trajtuar në institucione shëndetësore.
Sipas një banori, gjendja e 45-vjeçarit ishte rënduar dhe trajtimi nuk ndiqej rregullisht. Ai pretendoi gjithashtu se vite më parë Dalladaku ishte përfshirë në një incident, gjatë të cilit kishte plagosur një person.
Një tjetër banor e përshkroi familjen si të qetë dhe punëtore. Ai deklaroi se 45-vjeçari ishte dërguar një vit më parë për trajtim në Elbasan dhe se kishte pasur edhe më parë probleme brenda familjes.
Këto pretendime të banorëve mbeten pjesë e informacioneve që duhet të verifikohen nga organet hetimore. Policia ka njoftuar zyrtarisht se i arrestuari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa motivi i krimit mbetet ende i paqartë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave që çuan në sulmin ndaj dy prindërve.




