
Një ndërprerje e gjerë e rrjetit Vodafone ka lënë pa shërbim për më shumë se tri orë një numër të madh abonentësh në jug të Shqipërisë.
Problemet raportohet se kanë nisur rreth orës 14:15 dhe kanë prekur si klientët individualë, ashtu edhe bizneset që përdorin shërbimet e këtij operatori. Abonentët deklarojnë se nuk mund të kryejnë telefonata, të përdorin internetin celular apo të komunikojnë normalisht përmes rrjetit.
Ndërprerja raportohet në disa zona të jugut dhe veçanërisht përgjatë bregdetit, ku gjatë sezonit turistik ndodhet një numër i lartë pushuesish vendas dhe të huaj. Situata ka krijuar vështirësi edhe për subjektet që varen nga lidhja celulare për komunikimin me klientët, rezervimet dhe kryerjen e shërbimeve të përditshme.

Përdorues të shumtë kanë shprehur shqetësimin për kohëzgjatjen e problemit, pasi edhe pas më shumë se tri orësh rrjeti nuk ishte rikthyer në funksionim normal.
Mungesa e sinjalit dhe e internetit celular mund të krijojë vështirësi të veçanta për turistët, të cilët mbështeten te telefoni për orientimin, komunikimin, rezervimet, pagesat dhe kontaktimin e shërbimeve të ndryshme.
Deri në publikimin e raportimit nuk bëhet e ditur arsyeja teknike që ka shkaktuar ndërprerjen, shtrirja e plotë e zonave të prekura apo afati brenda të cilit pritet rikthimi i shërbimit.
Gjithashtu, nuk raportohet ende për një sqarim publik nga Vodafone Albania lidhur me problemin. Abonentët presin informacion zyrtar mbi shkakun e ndërprerjes dhe kohën e nevojshme për normalizimin e rrjetit./Albeu





