
Izraeli ka paralajmëruar Hamasin se do të intensifikojë sulmet në Rripin e Gazës, pas raportimeve për lëshimin drejt territorit izraelit të balonave tabake, tullumbaceve dhe mjeteve të vogla pa pilot.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se autoritetet do të ndërmarrin “veprime të fuqishme” për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Paralajmërimi erdhi pasi disa balona u gjetën gjatë fundjavës në një komunitet izraelit pranë kufirit me Gazën.
Katër prej tyre u gjetën të premten dhe të shtunën në kibucin Nahal Oz, rreth 800 metra larg kufirit. Media izraelite raportoi se mjete të tjera të ngjashme ishin gjetur gjatë javës së kaluar në zona të ndryshme të jugut të Izraelit.
Sipas ushtrisë izraelite, në balonat e gjetura nuk ishin vendosur eksplozivë apo materiale të tjera të dyshimta dhe ato nuk përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë. Megjithatë, burime ushtarake të cituara nga mediat vendase kanë ngritur dyshime se pas lëshimit të tyre mund të qëndrojë Hamasi dhe se qëllimi mund të ketë qenë testimi i reagimit të Izraelit.
Ministri Katz deklaroi se Izraeli do të zbatojë një politikë “tolerance zero”, duke paralajmëruar se balonat tabake, tullumbacet dhe dronët do të trajtohen si kërcënime, pavarësisht nëse mbajnë ose jo materiale shpërthyese.
Banorët e Nahal Oz shprehën shqetësimin se incidentet e fundit mund të paralajmërojnë rikthimin e balonave dhe tullumbacevec me mjete ndezëse. Përpara nisjes së luftës, pajisje të tilla ishin përdorur për të shkaktuar zjarre në pyje dhe toka bujqësore brenda territorit izraelit.
Në një deklaratë, banorët thanë se nuk do të pranonin një politikë përmbajtjeje kur bëhet fjalë për sigurinë e tyre dhe kërkuan masa të menjëhershme nga autoritetet.
Hamasi mohoi përgjegjësinë për balonat e reja, duke deklaruar se ato u përkisnin fëmijëve palestinezë të zhvendosur nga lufta. Sipas grupit, bëhet fjalë për “fëmijë që kërkojnë fëmijërinë e tyre të pafajshme mes rrënojave”.
Organizata palestineze akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet t’i përdorë këto incidente si pretekst për vazhdimin e sulmeve ajrore në Gaza, pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor të vitit të kaluar.
Një zëdhënës i Hamasit deklaroi se pretendimet dhe kërcënimet izraelite janë të rrezikshme, ndërsa i cilësoi balonat si lodra fëmijësh të ardhura nga kampet ku strehohen personat e zhvendosur.
Paralajmërimi i Izraelit vjen ndërsa sulmet në Gaza vazhdojnë të shkaktojnë viktima. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë njoftuan të dielën se dy persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga dy goditje izraelite në kampin e refugjatëve Nuseirat dhe në qytetin Al-Zawayda, në pjesën qendrore të Gazës.
Sipas raportimeve të mediave lokale, mes viktimave ishte edhe një djalë katërvjeçar, Mohammed Taha, i cili humbi jetën pasi një ndërtesë në Al-Zawayda, në veri të kampit Maghazi, u bombardua.
Ushtria izraelite deklaroi se objektivi i sulmit ishte Ismail Abu Ful, i identifikuar prej saj si drejtues i një qendre të Hamasit për prodhimin e armëve në zonën e Maghazit. Autoritetet ushtarake pretenduan se banorët ishin paralajmëruar të largoheshin përpara sulmit.
Një tjetër sulm izraelit, i raportuar gjatë natës në Deir al-Balah, shkaktoi vdekjen e Mohammed Abu Asad. Ushtria izraelite pretendoi se ai ishte pjesëtar i forcave elitare Nukhba të krahut të armatosur të Hamasit dhe se kishte marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në territorin izraelit më 7 tetor 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e administruar nga Hamasi, më shumë se 74,420 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që prej fillimit të luftës. E njëjta ministri pretendon se 1,288 prej tyre kanë humbur jetën që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Tensionet e fundit rreth balonave fluturuese shtojnë frikën për një përshkallëzim të ri ushtarak në Gaza, ndërsa palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe popullsia civile vazhdon të përballet me pasiguri, zhvendosje dhe sulme.






