
Temperaturat e larta nuk shqetësojnë vetëm njerëzit, por edhe kafshët shtëpiake. Për t’i mbrojtur qentë gjatë ditëve të nxehta, në Japoni kanë nisur të përdoren kostume të posaçme freskuese.
Veshja është e pajisur me një miniventilator, i cili shfrytëzon qarkullimin natyror të ajrit dhe e shpërndan atë në trupin e kafshës.
Sipas krijuesve, kostumi nuk e bezdis qenin gjatë lëvizjes dhe ndihmon në freskimin e zonës së barkut, ku temperatura mund të ndihet më shumë për shkak të afërsisë me asfaltin e nxehtë.
Pajisja synon të ulë rrezikun e mbinxehjes dhe goditjes nga nxehtësia, veçanërisht te qentë e vegjël, ata me qime të dendura dhe racat që kanë vështirësi në frymëmarrje.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë që gjatë temperaturave ekstreme qentë të mos nxirren në orët e pikut, të kenë vazhdimisht ujë të freskët dhe të mos lihen asnjëherë brenda automjeteve të parkuara.






