Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme, njoftoi sot se ka rregjistruar një procedim penal mbi ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011, ku gjatë një demonstrate të dhunshme të Partisë socialiste, mbetën të vrarë katër protestues si dhe u plagosën disa të tjerë.
Fillimisht, Prokuroria e Posaçme kishte refuzuar të ndërmerrte hetime pas kallëzimit të bërë pranë saj nga familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 demonstruesve të vrarë. Vrasja e tij ka mbetur pa autor. Kjo Prokurori kishte vlerësuar se hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës, nuk kanë zbuluar elementë penalë ndaj subjekteve që hyjnë në juridiksionin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.
Por sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, vetëm pas hetimeve paraprake dhe pasi të arrihej në konkluzionin nëse kishte apo jo elementë të veprës penale referuar kallëzimit, mund të vendosej mbi çështjen.
Familjarët e Nikës, të cilët kanë në duar dhe disa rregjistrime të komunikimeve të bëra atë ditë nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi me vartësit e tij, kanë kërkuar vënien përpara përgjegjësisë, mes të tjerëve dhe të ish kryeministrit Sali Berisha e ish ministrit të Brendshëm të kohës Lulzim Basha. Asnjëri prej tyre nuk u mor në pyetje pas ngjarjes së 13 viteve më parë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh se në hetimin e ngjarjes ishin vërejtur mangësi të shumta të cilat ngrinin dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht, dhe se autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së Nikës si dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit.I pyetur sot për hetimin që Prokuroria e Posaçme do të kryejë mbi ngjarjet e 21 Janarit, zoti Basha tha se “kam qenë dhe mbetem në dispozicion të çdo akti të drejtësisë për të bërë zbardhjen e plotë dhe drejtësinë e plotë për 21 janarin” në të cilën cilën tha ai kanë humbur “katër jetë njerëzisht të pafajshëm. Eshtë një tragjedi e cila duhet të marrë një përgjigje ligjore. Të hetohet gjithçka nga fillimi deri në fund”./Voa