Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas një aktiviteti kulturor të zhvilluar në Pustec, ku, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kryetarit të bashkisë, u luajt vetëm himni maqedonas dhe jo Himni Kombëtar Shqiptar.

MEPJ shpreh keqardhje për ngjarjen dhe e cilëson mospërfshirjen e himnit shqiptar si një “mungesë serioze” dhe shmangie nga rregullat e protokollit dhe mirësjelljes institucionale.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, Ministria thekson se prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë i jepte aktivitetit një dimension të veçantë publik, duke kërkuar respektimin e simboleve kombëtare të Shqipërisë krahas atyre të komunitetit të përfaqësuar.

“Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi”, thekson MEPJ, duke shtuar se ai është pjesë e etikës institucionale dhe respektit të ndërsjellë.

Ministria nënvizon se në Pustec, ashtu si në çdo territor të Republikës së Shqipërisë, respektimi i simboleve kombëtare lidhet drejtpërdrejt me respektin ndaj qytetarëve dhe vlerave të bashkëjetesës.

Sipas MEPJ, respekti reciprok për simbolet dhe identitetet është gjithashtu një element themelor i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu