Tom Holland pritet të fitojë të paktën 100 milionë dollarë nga filmi “Spider-Man: Brand New Day”, pas suksesit të jashtëzakonshëm të tij në kinematë botërore.

Sipas The Guardian, duke iu referuar The Wrap, aktori britanik 30-vjeçar është paguar rreth 20 milionë dollarë paraprakisht për rolin e Spider-Man. Por marrëveshja e tij parashikon bonuse të lidhura me të ardhurat e filmit dhe këto pritet t’i sjellin edhe mbi 80 milionë dollarë të tjera.

Vetëm në javën e tretë të shfaqjes, “Spider-Man: Brand New Day” ka kaluar shifrën e 2 miliardë dollarëve në arkëtimet globale, duke u renditur si filmi i tetë me të ardhurat më të larta në historinë e kinemasë, pa llogaritur inflacionin.

Pagesa e Holland përbën një rritje spektakolare krahasuar me fillimet e tij si Spider-Man. Për paraqitjen e parë në “Captain America: Civil War” në vitin 2016, ai raportohet se mori vetëm 250 mijë dollarë. Më pas fitoi rreth 500 mijë dollarë për “Homecoming”, 4 milionë për “Far From Home” dhe 10 milionë dollarë për “No Way Home”.

Viti 2026 ka rezultuar veçanërisht i suksesshëm për Holland. Përveç rekordit të “Spider-Man”, ai luajti Telemakun në “The Odyssey” të Christopher Nolan, filmi i dytë më fitimprurës i vitit me rreth 1.3 miliardë dollarë arkëtime. Gjatë këtij viti, Holland gjithashtu u martua me Zendaya-n, me të cilën luan në të dy filmat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu