Situata me Ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut po bëhet shqetësuese. Një tjetër pacient ka humbur jetën, duke e çuar në katër numrin e viktimave, ndërsa 20 persona po trajtohen aktualisht në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup.

Viktima e fundit është një 76-vjeçar, i cili kishte qëndruar i shtruar në spital për 27 ditë. Drejtori i Klinikës, Fadil Cana, bëri të ditur se pacienti kishte zhvilluar formën e rëndë neuroinvazive të infeksionit, e cila kishte prekur trurin dhe cipat e tij. Ai vuante gjithashtu nga sëmundje të tjera të rënda shoqëruese.

Nga 20 pacientët e hospitalizuar, 18 janë raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa dy të tjerë konsiderohen raste të dyshuara. Pesë pacientë ndodhen në terapi intensive për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Autoritetet kanë konfirmuar ndërkohë formën neuroinvazive të virusit edhe te një paciente vetëm 25 vjeçe, e cila deri një ditë më parë konsiderohej rast i dyshuar.

Një tjetër pacient, 24 vjeç, është shtruar në spital dhe po kryhen analizat për të konfirmuar ose përjashtuar infeksionin.

Deri tani, katër persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 pacientë janë shëruar dhe kanë dalë nga Klinika për Sëmundje Infektive.

Sipas Fadil Canës, të gjithë pacientët e shtruar kanë zhvilluar formën neuroinvazive, e cila shfaqet vetëm te rreth 1% e personave të infektuar. Mosha e avancuar konsiderohet një faktor i rëndësishëm rreziku për komplikacione të rënda dhe përfundim fatal.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu