Kriza politike në Kosovë vijon të thellohet, ndërsa edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin konsultativ të parashikuar të martën.

LDK, e drejtuar nga Lumir Abdixhiku, argumenton se nuk e njeh Haxhiun në rolin nga i cili ka thirrur takimin, duke e konsideruar atë vetëm si një prej deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

“LDK nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga zonja Haxhiu, pasi konsiderojmë se ajo është vetëm një nga deputetet e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në qëndrimin e partisë.

Megjithatë, LDK shprehet e gatshme për dialog të drejtpërdrejtë me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, me synimin për të zhbllokuar krizën institucionale dhe për të arritur një marrëveshje për presidentin e vendit.

“Ne jemi të hapur të bisedojmë me kryetarin e LVV-së, z. Albin Kurti, që sa më shpejt ta zhbllokojmë situatën politike në vend, duke i ofruar Kosovës President”, thekson LDK.

Me këtë vendim, të tri partitë kryesore opozitare – LDK, PDK dhe AAK – kanë refuzuar takimin e thirrur nga Haxhiu.

Takimi ishte parashikuar për të martën në orën 09:00 dhe kishte si objekt konsultimet për krizën politike, zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe formimin e institucioneve të tjera.

PDK argumenton se çështja e presidentit duhet të diskutohet vetëm pasi të funksionalizohet Kuvendi, ndërsa opozita kërkon vazhdimin e seancës konstituive.

Ndërkohë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka mbajtur qëndrimin se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje për presidentin dhe më pas të vazhdojë procesi për konstituimin e Kuvendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu