
Fshati Vajzë në Selenicë ka mirëpritur edicionin e katërt të “Vajza Fest”, aktiviteti që ndërthur traditën, kulturën, artin dhe sportin, duke synuar promovimin e trashëgimisë së zonës.
Festivali mblodhi banorë, artistë dhe vizitorë, ndërsa mes të pranishmëve ishte edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me ish-Presidentin Bamir Topi, kreun e KOKSH-it Fidel Ylli dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Rama tregoi se kishte marrë ftesë për katër vite radhazi për të marrë pjesë në festival, por këtë herë kishte vendosur ta pranonte.
“Katër vjet janë mjaftueshëm për të pasur besim se ideja funksionon. Ndaj, besoj se është rasti i duhur për të ardhur dhe për të dëshmuar së bashku me të tjerët suksesin e një nisme të lindur katër vjet më parë”, tha Rama.
Kryeministri e shoqëroi fjalën e tij edhe me batuta për të ftuarit. Ai përshëndeti Bamir Topin dhe Fidel Yllin, ndërsa shkëmbeu batuta edhe me kryebashkiakun e Selenicës, Nertil Bellaj, dhe moderatoren e aktivitetit.
Duke iu referuar me humor pranisë së një gjyqtareje në festival, Rama tha: “E rëndësishme është që ju, të paktën, pushtetin gjyqësor këtu e keni me vete”.
Kryebashkiaku Nertil Bellaj e cilësoi festivalin si një mënyrë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e zonës, duke deklaruar se aktiviteti do të vazhdojë të mbështetet dhe të zgjerohet.
“Vajza Fest” zhvillohet për të katërtin vit dhe përfshin muzikë tradicionale, art, aktivitete sportive dhe elemente të trashëgimisë kulturore lokale.






