
Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Shqipëri, ndërsa 531 forca operacionale, 29 mjete, pesë helikopterë dhe dy avionë Air Tractor janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes në orën 20:00, në operacione janë përfshirë 104 efektivë zjarrfikës, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake, të ADZM-së dhe shërbimit pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe përfaqësues të strukturave të emergjencave.
Situata mbetet aktive në Dajt dhe Priskë të Madhe, ku ndërhyrja nga toka mbështetet edhe nga helikopterët e Forcës Ajrore. Ministria bën të ditur se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Operacioni vijon edhe në Drenie të Patosit, ku krahas zjarrfikësve janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Krujë, forcat po luftojnë me disa vatra. Në Abaze janë angazhuar 57 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë, ndërsa në lagjen Bojë një vatër në terren të vështirë po goditet nga ajri. Tre automjete zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave. Puna vijon edhe në Krastë-Halil, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka aktualisht rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, ndërhyrja po zhvillohet në terren të vështirë malor, pa rrezik të raportuar për banesat.
Një nga operacionet më të rëndësishme mbetet ai në Gurë-Lurë të Dibrës. Në zonë janë angazhuar zjarrfikës, policë, forca bashkiake, shërbimi pyjor, vullnetarë, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, zjarri po luftohet në një zonë të mbrojtur me pyll pishe, por aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën në të gjithë territorin dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, operacionet do të vijojnë deri në kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.






