Një histori e pazakontë ka përfunduar në Gjykatën e Firences, ku është pezulluar martesa e një pensionisti italian 86-vjeçar me një grua shqiptare 35 vjet më të re. Autoritetet dyshojnë se i moshuari mund të mos ketë qenë plotësisht i vetëdijshëm për vendimet që po merrte.

Çifti kishte nisur në prill procedurat për martesën në Mugello, por gjatë verifikimeve zyrtarët konstatuan disa elemente që ngritën dyshime.

Sipas mediave italiane, 86-vjeçari, i cili kishte mbetur i ve pak kohë më parë, ishte shfaqur i çorientuar përpara familjarëve dhe zyrtarëve të gjendjes civile. Ai nuk kishte qenë në gjendje të shpjegonte qartë arsyet e vendimit për t’u rimartuar.

Dyshimet u shtuan pasi rezultoi se pensionisti i kishte dhënë gruas shuma të konsiderueshme parash.

Një tjetër pikë e hetimit është firma në dokumentet e martesës, ku parashikohej zgjedhja e regjimit të bashkësisë së pasurisë. 86-vjeçari mohoi se firma ishte e tij, ndërsa ajo rezultonte e ndryshme nga një firmë tjetër e vendosur prej tij përpara një zyrtari.

Autoritetet konstatuan gjithashtu se i moshuari kishte njohuri të kufizuara për pasuritë e tij të paluajtshme, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë për të kuptuar pasojat juridike dhe financiare të vendimeve të tij.

Në këto kushte, Gjykata e Firences urdhëroi pezullimin e martesës. Prokuroria ka hapur ndërkohë një hetim për të përcaktuar nëse 86-vjeçari është ndikuar apo manipuluar në marrjen e vendimeve.

Në procedim, pensionisti konsiderohet viktimë e mundshme, ndërsa hetimet do të përcaktojnë natyrën e marrëdhënies mes tij dhe gruas shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu