Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, ndërsa në dosjen hetimore është përfshirë edhe dëshmia e Krisjan Sterjos, i akuzuar për krimin.

I riu ka treguar para grupit hetimor dinamikën e konfliktit, momentin kur shkoi në banesë për të marrë armën, ndjekjen e viktimës dhe veprimet që kreu menjëherë pas të shtënës.

Sipas dëshmisë së tij, konflikti mes dy të rinjve kishte nisur rreth dy javë më parë për shkak të një vajze. Sterjo pretendon se Johan Zuko kishte ngacmuar një mikeshë të tij dhe se ai i kishte kërkuar të mos e bënte më. Gjatë atij konflikti, sipas deklarimit të tij, ai e kishte goditur Zukon me pëllëmbë.

Ditën e ngjarjes, Sterjo ka treguar se ndodhej pranë lokaleve përballë kinemasë, kur aty kaloi një automjet Mercedes-Benz C-Class i zi, që sipas tij përdorej ose ishte në pronësi të Johan Zukos.

Sterjo pretendon se i foli dhe Zuko ndaloi automjetin. Sipas versionit të të akuzuarit, ai iu afrua makinës për të sqaruar konfliktin e mëparshëm, por Zuko nxori një thikë dhe tentoi ta godiste.

Më pas, sipas dëshmisë, Zuko zbriti nga automjeti dhe konflikti vazhdoi. Sterjo thotë se e goditi me shkelm për të shmangur një goditje me thikë, ndërsa një person tjetër që ndodhej në automjet ndërhyri. Disa persona të pranishëm më pas i ndanë.

Pas këtij momenti, Sterjo është larguar me vrap drejt banesës së tij.

Ai ka deklaruar se, në gjendje gjaknxehtësie, mori një pushkë që e mbante të fshehur në shtëpi. Armën e futi në një thes të bardhë dhe u nis në këmbë drejt lagjes ku banonte Johan Zuko.

Sipas rrëfimit të tij, pasi e gjeti 20-vjeçarin pranë një lokali, iu afrua dhe nxori armën. Zuko u largua me vrap dhe Sterjo e ndoqi.

“Unë e ndoqa nga pas. Ai hyri në një pallat dhe unë shkova pas tij”, ka deklaruar Sterjo, duke pretenduar se më pas qëlloi me armë duke synuar këmbët.

I akuzuari thotë se pas të shtënës nuk qëndroi për të parë gjendjen e Zukos, por u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Një pjesë tjetër e dëshmisë zbulon edhe veprimet e tij pas krimit. Sterjo ka treguar se, pasi mbërriti në zonën e njohur si Fusha e Drurëve, e fshehu armën në disa shkurre. Më pas u kthye në banesë, ndërroi rrobat dhe ato që kishte veshur i futi në lavatriçe.

Pas kësaj, sipas deklarimit të tij, u largua përsëri dhe u fsheh në një shtëpi të pabanuar pranë banesës së vet.

Nga dosja hetimore dalin gjithashtu detaje për një histori të vështirë familjare të të akuzuarit. Prindërit e tij ishin divorcuar kur ai ishte dy vjeç dhe marrëdhënia me të atin përshkruhet si e acaruar. Një vit më parë, Sterjo kishte plagosur me thikë të atin.

Në dosje janë administruar dhjetëra dëshmi, përfshirë ato të personave që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, familjarëve dhe një vajze. Sterjo ka kërkuar gjithashtu avokat të siguruar nga shteti, pasi sipas raportimit, prindërit e tij nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një mbrojtës.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar plotësisht dinamikën e vrasjes dhe për të verifikuar pretendimet e të akuzuarit për konfliktin që i parapriu krimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu