Kruja është përballur mbrëmjen e kësaj të diele me një tjetër vatër zjarri, vetëm një ditë pasi flakët masive rrethuan qytetin dhe rrezikuan banesa e biznese.

Vatra e re është shfaqur në Krastën e Krujës, pranë lagjes Boje, rreth 500 metra larg banesave. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha dhe perimetri i flakëve po zgjerohet.

Situata vështirësohet nga terreni malor, i cili e bën thuajse të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrës. Autoritetet po ndjekin situatën, ndërsa ekziston rreziku që flakët t’u afrohen zonave të banuara nëse nuk vihen nën kontroll.

Ndërkohë, situata është përmirësuar në Mallakastër dhe Patos. Vatrat në zonën Panahor-Ndrenie-Vlosht dhe në Drenie janë vënë nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për banesat apo bizneset. Operacionet vijojnë nga toka dhe ajri për shuarjen e plotë të zjarreve.

Sipas Mbrojtjes Civile, gjatë ditës janë angazhuar 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse, si dhe katër mjete ajrore – tre helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Vatra aktive janë raportuar edhe në zona të Tiranës dhe Kurbinit. Në Vilëz të Kurbinit, ndërhyrja e dy helikopterëve ka frenuar avancimin e zjarrit dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu