SPAK ka ushtruar kontrolle në kompaninë “Atelier 4”, në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas burimeve të cituara nga gazetarja Klodiana Lala, gjatë kontrollit është sekuestruar një projekt arredimi që lidhet me një vilë luksoze në një prej zonave më ekskluzive të jugut të Shqipërisë.

Hetuesit dyshojnë se pasuria mund të ketë lidhje me Ballukun dhe po e verifikojnë atë si një pasuri të mundshme të fshehur. Prokurorët e posaçëm po analizojnë dokumentacionin e sekuestruar dhe po e krahasojnë me provat dhe të dhënat e tjera të mbledhura gjatë hetimeve.

“Atelier 4” është në pronësi të vëllezërve Eftimi. Kontrolli në ambientet e kompanisë është pjesë e veprimeve hetimore që SPAK po zhvillon për të verifikuar pasuritë që dyshohet se lidhen me ish-zëvendëskryeministren.

Balluku është e pandehur në çështjen që lidhet me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Paralelisht, ndaj saj vijojnë hetimet për korrupsion dhe pastrim parash. Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka sekuestruar edhe një vilë në Dhërmi, e cila dyshohet se mund të jetë pasuri e fshehur.

Rreth dhjetë ditë më parë, Balluku u paraqit në SPAK, ku iu komunikuan akuzat e reja dhe vendimi për zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu