Për disa orë me radhë, Kruja u përball me një situatë të rëndë nga zjarri, ndërsa flakët iu afruan banesave, magazinave, bizneseve dhe një pike shpërndarjeje gazi.

Zonat më të rrezikuara ishin Barabiti dhe Llubani, ku zjarri, i favorizuar nga era, përparoi me shpejtësi drejt zonave të banuara. Qindra banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet ndërhynë edhe për largimin e personave që refuzonin të braktisnin zonën.

Në alarm u vu edhe Spitali i Krujës, pasi flakët u afruan deri në rreth 50 metra nga godina. Gjatë natës, pacientët u evakuuan dhe u transportuan drejt Tiranës për arsye sigurie.

Në operacion janë angazhuar mbi 280 efektivë, mes tyre më shumë se 200 pjesëtarë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

Në terren dhe nga ajri janë angazhuar 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, një dron Bayraktar TB2, dy dronë me kamera termike të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, një autobot uji dhe një autoambulancë. Në zonë është dislokuar gjithashtu Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së.

Operacioni vijon për kufizimin dhe shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa pritet mbështetje shtesë me mjete dhe efektivë nga bashki të tjera.

Pavarësisht përmasave të zjarrit, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka arrestuar ndërkohë 73-vjeçarin e dyshuar për shkaktimin e zjarrit, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij dhe flakët dolën jashtë kontrollit.

 

[Video në Facebook](https://www.facebook.com/share/r/1Dk9wLxxTc/?mibextid=wwXIfr&utm_source=chatgpt.com)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu