Green Coast ka lidhur një partneritet me Nammos Hotels & Resorts, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri një prej emrave të njohur ndërkombëtarë të hotelerisë dhe turizmit “lifestyle”.

Lajmi është bërë publik nga sipërmarrësi Samir Mane, i cili njofton se Nammos Hotels & Resorts do të zhvillojë një destinacion të ri brenda Green Coast, në Palasë të Himarës. Projekti parashikon një hotel “boutique”, rezidenca nën markën Nammos, restorantin karakteristik të brandit, si dhe shërbime dhe eksperienca të segmentit premium.

Nammos e ka ndërtuar emrin e tij fillimisht në Mykonos, ndërsa marka është shtrirë më pas në disa prej destinacioneve më të njohura ndërkombëtare të turizmit luksoz. Në postimin e tij, Mane rendit krahas Mykonosit edhe Dubain, Kanën, Sardenjën, Londrën dhe Limassolin.

Hyrja në Shqipëri e Nammos Hotels & Resorts përmes Green Coast synon ta pozicionojë më tej rivierën shqiptare në hartën e turizmit ndërkombëtar të nivelit të lartë. Sipas njoftimit, projekti në Palasë nuk do të kufizohet vetëm te hoteli, por do të ndërthurë akomodimin, rezidencat, gastronominë dhe eksperiencat “lifestyle” nën të njëjtën markë.

“Green Coast po hyn në një kapitull të ri në turizmin dhe hotelerinë ndërkombëtare”, shkruan Mane, duke e paraqitur marrëveshjen si një tjetër hap në afrimin e markave globale në bregdetin shqiptar.

Partneriteti shënon hyrjen e parë të Nammos në Shqipëri dhe e vendos Palasën mes destinacioneve ku marka synon të zhvillojë modelin e saj të hotelerisë dhe turizmit premium.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu