
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë Qeverinë në Pogradec më 24 dhe 25 gusht në takimin tradicional informal para nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Sipas burimeve qeveritare, gjatë dy ditëve të retreat-it, ministrat do të raportojnë për prioritetet dhe objektivat e secilës ministri për muajt në vijim.
Në fillim të shtatorit pritet të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, përpara se Kuvendi të nisë punimet më 7 shtator. Burime nga mazhoranca nuk përjashtojnë mundësinë që kjo mbledhje të shoqërohet edhe me ndryshime në kabinetin qeveritar.
Prej javësh në qarqet politike flitet për një rifreskim të mundshëm të drejtimit në të paktën gjashtë ministri, megjithëse vendimi përfundimtar mbetet në dorën e kryeministrit Rama.
Në rendin e ditës së Asamblesë mund të përfshihet edhe mocioni për hapjen e dialogut kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë, i depozituar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.





