
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar pas raportimeve në media për vdekjen e një shtetaseje gjermane në Palasë, duke sqaruar se, nga veprimet paraprake hetimore, dyshohet se bëhet fjalë për një vdekje natyrale.
Sipas Policisë, rreth orës 11:45 të datës 30 korrik, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, ishte dërguar në gjendje të rënduar shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë arresti kardiak.
Policia bën me dije se menjëherë pas njoftimit u kryen të gjitha veprimet procedurale në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme.






