Një kompani amerikane bioteknologjie po zhvillon pilulat e para që synojnë të zgjasin jetën e shëndetshme të qenve, duke u përshtatur sipas madhësisë dhe racës së tyre.

Kompania “Loyal”, me seli në San Francisko, po teston tre medikamente të ndryshme për qentë e moshuar dhe ata të racave të mëdha. Objektivi nuk është krijimi i “qenve të pavdekshëm”, por ngadalësimi i proceseve biologjike të plakjes, për të ruajtur më gjatë shëndetin, lëvizshmërinë dhe cilësinë e jetës.

Programi më i avancuar është LOY-002, një pilulë ditore për qentë e moshuar, e cila ka kaluar fazat kryesore të vlerësimit për sigurinë dhe efektivitetin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Nëse merr miratimin përfundimtar, kompania parashikon që ilaçi të dalë në treg gjatë vitit 2027.

Dy produkte të tjera, LOY-001 dhe LOY-003, synojnë qentë e racave të mëdha dhe gjigante, duke vepruar mbi hormonin IGF-1, i cili lidhet me jetëgjatësinë më të shkurtër të këtyre racave.

Nëse autorizohet, LOY-002 do të jetë ilaçi i parë veterinar i miratuar posaçërisht për zgjatjen e viteve të jetës së shëndetshme dhe jo vetëm për trajtimin e një sëmundjeje të caktuar. Megjithatë, një miratim në SHBA nuk do të thotë automatikisht se medikamenti do të jetë i disponueshëm edhe në Evropë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu