Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se gërmimet në lokacionin e dyshuar si varrezë masive në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut mund të zgjasin me javë, madje edhe me muaj, pasi eshtrat e viktimave janë të shpërndara.

Gjatë vizitës në vendin ku po zhvillohen kërkimet, Kurti tha se janë zbuluar mbetje të reja mortore, ndërsa ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzikës, antropologët, si dhe përfaqësues të Bashkimit Europian dhe EULEX-it vijojnë punën në terren.

Sipas tij, pas analizave të ADN-së pritet të konfirmohet nëse mbetjet u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve kosovare, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga forcat serbe më 19 prill 1999.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës do të mbështesë plotësisht procesin, me qëllim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe kthimin e eshtrave te familjet e tyre.

Ai i bëri gjithashtu thirrje Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.

Sipas Kurtit, Beogradi vazhdon të mbajë të klasifikuara dokumente të rëndësishme, përfshirë dosjen e Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila, sipas tij, lidhet me masakrat e kryera në Kosovë dhe është mbyllur deri në vitin 2044.

“Kërkojmë që këto dokumente të deklasifikohen sa më parë, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe familjeve të mbi 1.500 personave të zhdukur t’u jepet mundësia të mësojnë fatin e të afërmve të tyre”, deklaroi Kurti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu