Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje që ai e cilësoi historike për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Trump tha se marrëveshja përbën një hap vendimtar drejt paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon, si dhe një moment kyç në zbatimin e planit të tij me 20 pika për Lindjen e Mesme.

Sipas presidentit amerikan, marrëveshja parashikon që Gaza të drejtohet nga një qeveri e re palestineze, e cila do të bashkëpunojë me një Bord të Paqes për rindërtimin dhe administrimin e territorit. Ai shtoi se, me përfundimin e procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht, ndërsa një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi, në bashkëpunim me policinë e re palestineze, do të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Trump falënderoi Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre si ndërmjetësues në negociata, duke vlerësuar gjithashtu punën e ekipit të tij në arritjen e marrëveshjes.

Ai theksoi se sulmi i 7 tetorit nuk do të lejohet të përsëritet dhe se, sipas marrëveshjes, Gaza do të qeveriset nga institucione të reja palestineze në shërbim të qytetarëve.

Deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga Hamasi, Izraeli apo ndërmjetësit e përmendur nga Trump mbi detajet e kësaj marrëveshjeje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu