
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi se opozita nuk ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, por procedurën që sipas tij u ndoq nga mazhoranca për miratimin e saj.
Berisha theksoi se PD e mbështet plotësisht marrëveshjen me SHBA-në, si edhe kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për rritjen e shpenzimeve të vendeve të NATO-s për mbrojtjen.
Sipas tij, Partia Demokratike, si forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, mbështet çdo përpjekje për përmbushjen e detyrimeve të vendit ndaj Aleancës.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdori marrëveshjen për të shkelur të drejtat kushtetuese të opozitës, duke imponuar votimin e saj pa respektuar afatet kushtetuese dhe procedurat parlamentare.
Berisha deklaroi se opozita nuk kundërshton përmbajtjen e marrëveshjes, por mënyrën se si ajo u miratua në Kuvend, duke theksuar se pranimi i një procedure të tillë do ta bënte bashkëfajtore në shkeljen e Kushtetutës.
Në përfundim, ai përsëriti se PD është e gatshme ta votojë marrëveshjen në çdo kohë, për sa kohë respektohen procedurat kushtetuese.






