
Qeveria e Kosovës do të nisë nga 1 shtatori një sistem të ri për inspektimin e vendeve të punës, duke përdorur teknologjinë digjitale dhe dronët për kontrollet në terren.
Ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti, bëri të ditur se Inspektorati Qendror i Punës do të kalojë në inspektime plotësisht digjitale, me qëllim rritjen e transparencës, dokumentimin në kohë reale dhe forcimin e mbikëqyrjes.
Njëkohësisht, do të nisë edhe përdorimi i dronëve për inspektimin e kantiereve të ndërtimit dhe vendeve të punës me rrezik të lartë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Vendimi vjen në një kohë kur aksidentet në punë mbeten shqetësuese në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 12 persona kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, përfshirë edhe një aksident fatal të ndodhur së fundmi në Prishtinë.






