
Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ligjin që ratifikon marrëveshjen e huasë 302 milionë dollarëshe me Shtetet e Bashkuara për financimin e pajisjeve ushtarake. Sipas opozitës, problemi nuk lidhet me përmbajtjen e marrëveshjes, por me procedurën e ndjekur për miratimin e saj në Kuvend.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se marrëveshja është në interes strategjik të Shqipërisë dhe mbështetet nga opozita, por akuzoi mazhorancën se ka shkelur Kushtetutën duke e miratuar me procedurë të përshpejtuar dhe pa u dhënë deputetëve mundësinë të njiheshin me dokumentacionin.
Sipas Bardhit, PD ka identifikuar shtatë shkelje kushtetuese, që lidhen me të drejtën e deputetëve për informim, debat parlamentar, respektimin e afateve procedurale dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Për këtë arsye, opozita kërkon shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.






