
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka mbrojtur veprimin e tij për marrjen e dokumentit konfidencial të marrëveshjes 302 milionë dollarëshe për armatimin e Forcave të Armatosura, duke deklaruar se nuk ka rrëmbyer asgjë, por ka ushtruar një të drejtë që i takonte si deputet.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Shehaj tha se dokumenti duhej t’u vihej në dispozicion deputetëve dhe se refuzimi për ta marrë ishte shkelje e të drejtave të tyre.
“Më akuzojnë se kam rrëmbyer një dokument. Unë mora atë që më takonte. Nëse një e drejtë të mohohet, duhet ta kërkosh, jo të rrish pa reaguar”, u shpreh ai.
I pyetur pse u largua me vrap nga salla, Shehaj u përgjigj se nuk pranon të sillet si “deputet kukull”.
“Këta janë mësuar me deputetë kukulla që i komandojnë Balla dhe Rama. Unë nuk jam kukull. Nuk e bëra me dëshirë, por çfarë duhet të bëja kur dokumenti nuk më jepej?”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.
Sipas Shehajt, reagimi i tij ishte një mënyrë për të mbrojtur të drejtat e deputetit dhe, sipas tij, edhe të qytetarëve.






