Shqipëria vijon të mbetet një objektiv i sulmeve kibernetike nga aktorë shtetërorë, veçanërisht Irani dhe Rusia. Ky është vlerësimi i raportit më të fundit të Overseas Security Advisory Council (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, që analizon nivelin e sigurisë në vend.

Sipas dokumentit, Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shtete, por edhe i sulmeve me programe “ransomware” nga grupe kriminale.

Raporti përmend se gjatë vitit 2026 Irani kreu sulme kibernetike ndaj faqeve zyrtare dhe sistemeve shtetërore shqiptare, duke paralajmëruar se sulme të tilla ndaj infrastrukturës kritike mund të kenë pasoja serioze për funksionimin e shërbimeve publike dhe të krijojnë rrezik për përshkallëzim të konflikteve.

“Shqipëria është një objektiv për sulme kibernetike keqdashëse nga aktorë shtetërorë, përfshirë Iranin dhe Rusinë”, theksohet në raport.

Sa i përket terrorizmit, OSAC e klasifikon Shqipërinë si një vend me nivel mesatar kërcënimi, edhe pse nënvizon se gjatë dekadës së fundit nuk është regjistruar asnjë sulm terrorist në territorin shqiptar.

Dokumenti kujton komplotin e vitit 2018 kundër anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), i cili sipas autoriteteve u zbulua dhe u parandalua përpara se të realizohej.

Në aspektin e kriminalitetit, raporti e vlerëson Tiranën me nivel mesatar rreziku, ndërsa vlerëson bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për forcimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe përpjekjet për uljen e korrupsionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu