Protestat që nisën për mbrojtjen e mjedisit dhe u zgjeruan në tubime kundër korrupsionit qeveritar zënë një vend të veçantë në raportin më të fundit të Overseas Security Advisory Council (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, që analizon situatën e sigurisë në Shqipëri.

Sipas raportit, protestat e vitit 2026 nisën si demonstrata lokale kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por pas ndërhyrjes së policisë u përhapën në qytetet kryesore të vendit. “Protestat u zgjeruan duke përfshirë akuza për korrupsion qeveritar dhe në disa raste degjeneruan në përplasje”, thuhet në raport.

Dokumenti vlerëson se protestat në Shqipëri janë përgjithësisht paqësore, por paralajmëron se ato mund të përshkallëzohen në dhunë. Si zonë me rrezik për grumbullime përmendet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku ndodhen institucionet kryesore shtetërore.

Raporti analizon edhe procesin zgjedhor, duke vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u zhvilluan në një atmosferë përgjithësisht të qetë. Megjithatë, misioni ndërkombëtar i vëzhgimit evidentoi problematika që lidhen me përdorimin e burimeve publike gjatë fushatës, mungesën e transparencës në financimin e partive, gjuhën përçarëse politike dhe mbulimin e pabalancuar mediatik, duke kërkuar një reformë të plotë zgjedhore.

Sa i përket sundimit të ligjit, OSAC vlerëson se autoritetet civile ushtrojnë kontroll efektiv mbi Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Forcat e Armatosura. Megjithatë, dokumenti evidenton se korrupsioni, koordinimi i pamjaftueshëm ndërinstitucional, shkëmbimi jo i plotë i informacionit dhe një sistem drejtësie ende në konsolidim vazhdojnë të ndikojnë në efektivitetin e institucioneve.

Raporti i kushton një vëmendje të veçantë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas OSAC, SPAK ka rritur ndjeshëm hetimet dhe ndjekjet penale ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, personave të lidhur me krimin e organizuar dhe rasteve komplekse të korrupsionit, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Megjithatë, raporti nënvizon se pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz, pasi në disa raste persona me ndikim politik ose ekonomik vijojnë t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.

Dokumenti trajton edhe klimën e biznesit, ku investitorët e huaj vazhdojnë të identifikojnë si sfida kryesore korrupsionin në administratë dhe sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike, ekonominë informale dhe zbatimin jo të plotë të kontratave.

Një tjetër shqetësim i evidentuar është korrupsioni në sistemin penitenciar, veçanërisht në lidhje me aksesin e të dënuarve në programe pune dhe lehtësira të tjera.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu