Pushuesit në bregdetin shqiptar do të kenë më shumë qetësi gjatë mbrëmjeve, pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri që kufizon nivelin e zhurmës në zonat turistike.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se udhëzimi, i miratuar bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Shëndetësisë, ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Sipas rregullave të reja, nga ora 11:00 deri në 20:00 niveli maksimal i lejuar i zhurmës në ambientet publike është 65 decibel. Nga ora 20:00 deri në 24:00 kufiri ulet në 45 decibel, ndërsa pas mesnatës muzika duhet të ndërpritet.

Lamallari tha se Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të monitorojnë zbatimin e udhëzimit, me synim garantimin e qetësisë për pushuesit dhe respektimin e standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Gjatë vizitës në Lezhë, ministri zhvilloi një takim me drejtuesit vendorë dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ku në fokus ishte garantimi i rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së sezonit turistik. Edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu vlerësoi masat e reja, duke theksuar se ato do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së pushimeve në zonat bregdetare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu