Disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda një qendre tregtare në prefekturën Kumamoto, pasi një tërmet me magnitudë 7.1 goditi jugperëndimin e Japonisë. Autoritetet po zhvillojnë operacionet e shpëtimit, ndërsa mediat vendase raportojnë se në qendrën tregtare Aeon Mall ka ndodhur edhe një shpërthim pas lëkundjeve të forta.

Tërmeti goditi ishullin Kyushu në orën 16:27 sipas kohës lokale, me epiqendër vetëm 10 kilometra në thellësi. Menjëherë pas lëkundjes u lëshua një paralajmërim për cunami, i cili u hoq brenda një ore.

Më shumë se 150 mijë banorë janë urdhëruar të zhvendosen në qendrat e evakuimit, ndërsa Agjencia Meteorologjike Japoneze ka paralajmëruar për pasgoditje të forta për shkak të epiqendrës së cekët.

Pamjet e transmetuara nga televizioni publik NHK tregojnë rrugë dhe ura të çara, ndërtesa të përfshira nga flakët dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.

Kryeministrja Sanae Takaichi deklaroi se autoritetet po vlerësojnë shkallën e dëmeve, ndërsa konfirmoi se ka disa persona të plagosur.

Japonia është një nga vendet me aktivitetin më të lartë sizmik në botë, duke regjistruar rreth 1.500 tërmete çdo vit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu