
Franca dhe Spanja vijojnë të përballen me një nga valët më të rënda të zjarreve të viteve të fundit, ndërsa mbi 330 mijë banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Situata më kritike mbetet në rajonin Gironde në jugperëndim të Francës, ku flakët ndodhen rreth 15 kilometra larg Bordosë. Gjatë natës, reshjet e lehta të shiut dhe dobësimi i erës ndihmuan në stabilizimin e përkohshëm të zjarrit, por autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në ditët në vijim.
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të mbledhë qeverinë në një takim emergjent për të koordinuar përgjigjen ndaj krizës, ndërsa prefektura e Gironde u ka bërë thirrje turistëve të shmangin udhëtimet drejt zonës. Kampet verore, aktivitetet e skautëve dhe disa qendra pushimi janë pezulluar.
Në Spanjë, situata mbetet e rëndë në rajonet e Valencias, Madridit, Avilës dhe Toledos. Kryeministri Pedro Sánchez do të vizitojë zonat e prekura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike mund të favorizojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Deri tani, rreth 220 mijë persona janë evakuuar në Francë dhe mbi 110 mijë në Spanjë. Shumë prej tyre po strehohen në palestra, qendra ekspozitash dhe ambiente të përshtatura për emergjenca.
Komisionerja evropiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, paralajmëroi se Europa mund të përballet me një sezon rekord zjarresh, pasi një tjetër valë të nxehti pritet të godasë kontinentin. Sipas saj, dëmet e këtij viti mund të tejkalojnë edhe ato të vitit të kaluar, kur nga zjarret u dogjën mbi një milion hektarë sipërfaqe.






