Përshkallëzohet sërish konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Teherani ka ndërmarrë sulme të reja ndaj bazave ushtarake amerikane në vendet e Gjirit Persik, ndërsa Uashingtoni ka vijuar gjatë natës një valë bombardimesh ndaj objektivave ushtarake brenda territorit iranian.

Sipas autoriteteve iraniane, sulmet kanë goditur objektiva amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein, ndërsa SHBA deklaron se ka zhvilluar një operacion gjashtëorësh kundër qendrave të komandës, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe bazave të vëzhgimit bregdetar në Bandar Abbas dhe në ishullin Greater Tunb.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) tha se operacioni synon të “dobësojë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin ndërkombëtar” në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani “duhet të sillet mirë”, duke kërcënuar me goditje të tjera ushtarake nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.

Nga ana tjetër, negociatori kryesor iranian Mohammad Bagher Ghalibaf deklaroi se vendi i tij “nuk ka asnjë arsye të respektojë një marrëveshje që nuk i sjell përfitime Iranit”, duke theksuar se siguria kombëtare e vendit lidhet me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Situata ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon. Kuvajti njoftoi se ka interceptuar dronë iranianë, ndërsa autoritetet e Bahreinit u bënë thirrje qytetarëve të strehohen në vende të sigurta.

Në të njëjtën kohë, Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi se, pas rikthimit të bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, mund të mbyllen edhe rrugë të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që, sipas saj, u shërbejnë interesave të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Përshkallëzimi i konfliktit ka ndikuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës, ndërsa trafiku i cisternave në Ngushticën e Hormuzit është reduktuar ndjeshëm.

Mes tensioneve, Trump përshëndeti lirimin nga Irani të shtetases amerikane Dena Karari, të ndaluar që prej dhjetorit 2024, duke e cilësuar këtë si një “gjest vullneti të mirë” nga ana e Teheranit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu