Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian në Strasburg, ku nuk u arrit miratimi me konsensus i një rezolute të përbashkët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se të gjithë eurodeputetët votuan në mbështetje të Shqipërisë, ndërsa akuzoi deputetët e opozitës se votuan kundër dhe u larguan për t’iu bashkuar protestës në Tiranë.

“Pra, të gjithë eurodeputetët, madje edhe dikush që erdhi dhe protestoi në Shqipëri, votuan për Shqipërinë së bashku me deputetët e Partisë Socialiste. Sepse Shqipëria nuk ndalon. Ndërsa deputetët e pakicës në Shqipëri votuan kundër dhe u larguan për të shkuar në protestë. Sepse Partia Socialiste nuk ndalet”, shkroi Rama.

Mbledhja e Komitetit Parlamentar në Strasburg përfundoi pa një rezolutë të përbashkët, pasi drafti nuk mori mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike.

Sipas Partisë Socialiste, dokumentit të hartuar nga Sekretariati i Komitetit i ishin bashkëngjitur Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e integrimit, ndaj nuk kishte nevojë për amendamente të tjera.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka deklaruar se nuk u arrit konsensus pasi mazhoranca refuzoi një sërë amendamentesh të propozuara nga opozita, të cilat, sipas saj, lidhen me luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu