
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar zyrtarisht se samiti i ardhshëm i Aleancës do të zhvillohet në Shqipëri, duke i dhënë fund spekulimeve që u përhapën gjatë ditës për një shtyrje ose ndryshim të vendit pritës.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara, Rutte deklaroi se vendimi i marrë në samitin e mëparshëm në Hagë mbetet në fuqi dhe se Shqipëria do të mirëpresë liderët e vendeve anëtare të aleancës.
“Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri, ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën”, deklaroi Rutte.
Deklarata e kreut të NATO-s vjen vetëm pak orë pasi disa media ndërkombëtare raportuan se brenda aleancës po diskutoheshin skenarë për shtyrjen e samitit, për shkak të debateve mbi kalendarin e takimeve dhe zhvillimeve të fundit politike në raport me administratën amerikane.
Me këtë deklaratë, Rutte konfirmon se nuk ka asnjë ndryshim për vendin pritës dhe se diskutimet lidhen vetëm me datën e organizimit të samitit.
Shqipëria do të bëhet kështu vendi mikpritës i një prej ngjarjeve më të rëndësishme diplomatike dhe të sigurisë në botë, duke pritur në Tiranë krerët e shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të NATO-s, si edhe delegacione të vendeve partnere.
Organizimi i samitit konsiderohet një moment historik për vendin dhe një mundësi për të forcuar profilin ndërkombëtar të Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe si faktor stabiliteti në rajon.






