
Ka përfunduar protesta e ditës së 39-të radhazi në Tiranë, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë duke vijuar mobilizimin kundër qeverisë.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar pranë institucioneve kryesore të vendit, përfshirë Kryeministrinë, Kuvendin dhe selitë e partive politike.
Me pankarta, flamuj kuqezi dhe thirrje kundër klasës politike, pjesëmarrësit kërkuan largimin e qeverisë dhe ndryshime politike. Marshimi u zhvillua pa incidente, ndërsa në përfundim protestuesit u shpërndanë në mënyrë paqësore.
Në mbyllje të tubimit, aktivistët dhe organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të rikthehen sërish në shesh gjatë së enjtes, kur protesta hyn në ditën e saj të 40-të.
Sipas organizatorëve, synimi është që protesta e radhës të ketë pjesëmarrje edhe më të madhe, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm të vazhdimësisë së lëvizjes qytetare kundër qeverisë.






