Tiranë – Qeveria ka vendosur të rrisë me 701 milionë lekë financimin për Policinë e Shtetit përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili theksoi se fondet shtesë do të përdoren për përmirësimin e kushteve të punës së efektivëve, investime në teknologji dhe modernizimin e strukturave të policisë.

Sipas ministrit, financimi i ri synon të rrisë kapacitetet operacionale të Policisë së Shtetit dhe të përshpejtojë procesin e përafrimit të institucionit me standardet më të mira evropiane.

“Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, rrisim me 701 milionë lekë financimin për Policinë e Shtetit. Më shumë mbështetje për pagat e efektivëve, më shumë investime në teknologji, më shumë motivim për strukturat elitare dhe një tjetër hap i vendosur drejt modernizimit sipas standardeve më të mira evropiane. Një polici më e fortë do të thotë një Shqipëri më e sigurt”, deklaroi Lamallari.

Sipas Ministrisë së Brendshme, fondet do të shërbejnë për disa drejtime kryesore, duke përfshirë përmirësimin e pagave të efektivëve, pajisjen me teknologji moderne, rritjen e mbështetjes për strukturat elitare dhe investime në infrastrukturën policore.

Qeveria argumenton se rritja e financimit është pjesë e strategjisë për forcimin e rendit dhe sigurisë publike, në një periudhë kur sfidat ndaj krimit dhe nevoja për modernizim të institucioneve të sigurisë mbeten prioritare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu