
Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave, buburrecat bëhen mysafirë të padëshiruar në shumë banesa. Sipas biologut italian Pietro Bruni, nuk mjafton t’i vrasësh sa herë që i sheh, por duhet të eliminosh arsyet pse ato futen në shtëpi.
Eksperti shpjegon se buburrecat kërkojnë kryesisht ujë, ushqim dhe vende të lagështa ku të strehohen. Për këtë arsye, ai rekomandon tre hapa të thjeshtë për t’i mbajtur larg.
1. Eliminoni burimet e ujit dhe ushqimit
Sipas Brunit, lavamani i lagur, pjata e palarë, mbetjet e ushqimit, koshi i plehrave i pambyllur apo enët e kafshëve shtëpiake të lëna gjatë natës janë ndër faktorët kryesorë që tërheqin buburrecat. Edhe uji i mbledhur nën vazo në ballkon mund të krijojë kushte ideale për to.
2. Mbyllni hyrjet
Biologu këshillon mbylljen e çarjeve, hapësirave rreth tubacioneve dhe vendeve nga ku insektet mund të hyjnë në banesë. Ai rekomandon gjithashtu përdorimin e dheut diatomik, një pluhur mineral natyral që dëmton shtresën mbrojtëse të trupit të insekteve dhe i eliminon ato pa përdorur helme kimike.
3. Vendosni një kurth të thjeshtë në shtëpi
Një metodë tjetër efektive është përdorimi i një kavanozi qelqi ose një shisheje plastike të prerë. Në fund vendoset një copë banane shumë e pjekur ose bukë e lagur për të tërhequr buburrecat. Pjesa e sipërme e brendshme lyhet me vazelinë ose vaj, në mënyrë që insektet të mos mund të dalin pasi futen brenda. Nëse kurthi kap disa buburreca brenda pak netësh, kjo tregon se pranë banesës ka një vatër që kërkon ndërhyrje më serioze.
Eksperti thekson se këto metoda janë të dobishme kur problemi është i kufizuar. Nëse buburrecat shfaqen vazhdimisht, në disa ambiente të shtëpisë ose edhe gjatë ditës, rekomandohet ndërhyrja e një kompanie të specializuar të dezinfektimit.






