Ambientalisti Sazan Guri ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku bëri thirrje për vijimin e protestave dhe përshkallëzimin e tyre me mjete paqësore.

Gjatë fjalës së tij, Guri u shpreh se qeveria aktuale do të largohet, duke theksuar se suksesi i protestës varet nga qëndrueshmëria e qytetarëve.

“Ky vend që ka mbërritur në këtë ditë, ku përballë nesh ndodhet vetëm një anije, do ikë ose ky që as në emër nuk e meriton t’i thërrasësh ose ne. Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që e lënë kauzën përgjysmë”, deklaroi ai.

Sipas Gurit, protesta nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me çështje që ai i konsideron si cenim të pronës dhe interesit publik.

“Mos vallë ne dalim për të mbrojtur vetëm flamingot? Më tepër se kaq. Ky kryeministër ka zhbërë pronat e ligjshme dhe me ligjin për investimet strategjike ka vendosur të vjedhë këtë popull”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, Guri propozoi atë që e cilësoi si fazën e tretë të protestës.

Këtë kryeministër e kemi rrethuar demokratikisht dhe moralisht. Rrethimi i tretë për mua është rrethimi fizik. Të rrethohet Parlamenti dhe Kryeministria që ata të mos marrin vendime për kauzat tona”, deklaroi ambientalisti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu