
Franca ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Paraguain me rezultatin minimal 1-0, në një sfidë që u dominua jo vetëm nga tensioni, por edhe nga polemikat për lojën e ashpër të amerikanolatinëve.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Kylian Mbappé nga pika e bardhë në minutën e 70-të, duke i dhënë “Les Bleus” kualifikimin përballë Marokut në fazën çerekfinale.
Megjithatë, pas vërshëllimës finale, vëmendja u përqendrua te mënyra e lojës së Paraguait. Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, e cilësoi paraqitjen e kundërshtarëve si “turp”, ndërsa Micah Richards e quajti “të turpshme” sjelljen e futbollistëve paraguajanë.
Sipas raportimeve, futbollistët e Paraguait përdorën ndërhyrje të ashpra, provokime dhe tentativa për të vonuar lojën. Mes episodeve më të diskutueshme ishin goditjet ndaj Adrien Rabiot dhe Kylian Mbappé, si edhe përpjekja për të dëmtuar pikën e penalltisë përpara ekzekutimit të francezit.
Trajneri Didier Deschamps deklaroi se kishte udhëzuar lojtarët e tij të mbronin Mbappén në minutat e fundit, pasi priste ndërhyrje të tjera të forta nga kundërshtarët.
Edhe vetë Mbappé reagoi pas ndeshjes, duke thënë se Franca ishte e përgatitur për këtë lloj futbolli.
“Ata menduan se do të dilnim në fushë me smoking, por ne ishim gati. Ky është stili i tyre, por ne fituam”, u shpreh sulmuesi francez.
Arbitrimi i uzbekut Ilgiz Tantashev u kritikua gjithashtu, pasi gjatë 90 minutave nuk ndëshkoi me karton të verdhë asnjë futbollist të Paraguait, pavarësisht ndërhyrjeve të shumta, ndërsa tre kartonë iu dhanë lojtarëve francezë.
Me këtë fitore, Franca avancon në çerekfinale, ku do të përballet me Marokun në një duel që premton spektakël.






