
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin turistik në Zvërnec gjatë një interviste për televizionin publik gjerman ZDF, duke deklaruar se Shqipëria nuk mund t’i thotë jo një investimi prej katër miliardë eurosh, për sa kohë ai respekton ligjin dhe standardet mjedisore.
I pyetur për kritikat ndaj projektit të lidhur me investitorët e kompanisë së Jared Kushner, Rama tha se bëhet fjalë për një pronë private dhe se deri më tani nuk ka një plan përfundimtar të miratuar.
“Nuk ka asnjë ndryshim ligjor për të lejuar ndërtime në zonat ku ato janë të ndaluara. Agjencitë tona po veprojnë me shumë kujdes për t’u siguruar që çdo projekt të respektojë standardet mjedisore”, u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi transparencën dhe punimet e nisura në zonë, kryeministri mohoi se ka leje ndërtimi për resortin, duke sqaruar se ligji shqiptar lejon vetëm punë përgatitore në kushte të caktuara.
“Unë nuk merrem me përralla. Ka procedura, ka kërkesa dhe ka vlerësime mjedisore. Pjesa tjetër bazohet në interpretime”, deklaroi Rama.
Sa i përket protestave që kanë vijuar prej më shumë se një muaji, kreu i qeverisë bëri dallimin mes qytetarëve dhe organizatorëve të tyre.
“Ata që dalin në protestë kanë të drejtë dhe kanë arsyet e tyre. I respektoj dhe përpiqem t’i kuptoj. Por është një gjë qytetarët dhe një gjë organizatorët që drejtojnë protestat”, tha Rama.
Në fund, ai theksoi se projekti do të vazhdojë vetëm nëse vlerësimet përfundimtare tregojnë se ai është në përputhje me kërkesat ligjore dhe mjedisore.






