Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit para Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar dhunën ndaj qytetarëve.

Në një videomesazh, Berisha deklaroi se policia përdori gaz lotsjellës, topa uji, spraj dhe mjete të tjera force kundër protestuesve.

“Me urdhër të Edi Ramës, sot narkopolicia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, spray ariu, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen dhe përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur”, u shpreh Berisha.

Sipas kreut të PD-së, dhjetëra protestues u shoqëruan me forcë në komisariate, ndërsa ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë të ndaluarve.

“Edhe një herë, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë të ndaluarve, protestues paqësorë që po protestonin në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Berisha dënoi atë që e cilësoi “dhunë të egër” ndaj protestuesve dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të mbështesin protestën.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu