
Partia Demokratike ka bojkotuar seancën plenare të kësaj të enjteje, duke akuzuar mazhorancën socialiste se ka refuzuar të përfshijë në rendin e ditës kërkesat e protestuesve dhe nismat ligjore të opozitës.
Në një deklaratë zyrtare, Grupi Parlamentar i PD-së shprehet se shumica nuk pranoi zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat e protestuesve, si edhe mbi rekomandimet e rezolutës së fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Demokratët theksojnë se katër projektligjet e depozituara prej tyre, për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ligjit për investimet strategjike, Paketës së Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore, nuk janë futur në procedurë parlamentare.
PD argumenton se, për sa kohë këto nisma nuk shqyrtohen dhe qeveria shmang llogaridhënien, pjesëmarrja në seancë do të legjitimonte një proces parlamentar që, sipas saj, bie ndesh me parimet e demokracisë parlamentare.
Në deklaratë, opozita kritikon edhe masat e sigurisë rreth Kuvendit, duke pretenduar se godina është rrethuar nga qindra efektivë policie për të penguar protestuesit, ndërsa kërkon që katër projektligjet e saj të përfshihen për diskutim dhe miratim brenda këtij sesioni parlamentar.






