Anglia hyn në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026 me objektivin e vetëm: fitoren. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel do të përballet me Republikën Demokratike të Kongos në raundin e 32 skuadrave, në një ndeshje ku humbja nënkupton fundin e aventurës në Botëror.

Pas kryesimit të Grupit L, anglezët siguruan kualifikimin falë fitoreve ndaj Kroacisë dhe Panamasë, ndërsa barazuan pa gola me Ganën. Megjithatë, para nisjes së fazës me eliminim direkt, Tuchel pranoi se skuadra e tij nuk ka më hapësirë për gabime.

Shqetësimi më i madh për teknikun gjerman mbetet reparti i mbrojtjes. Dëmtimet e Reece James dhe Jarell Quansah kanë reduktuar alternativat në krahun e djathtë, ndërsa Tuchel duhet të vendosë nëse do të aktivizojë Djed Spence apo të zhvendosë Ezri Konsa në atë rol. Edhe John Stones mbetet një opsion për formacionin titullar.

Një tjetër dilemë lidhet me Bukayo Saka, i cili po rikuperohet nga një problem në tendinën e Akilit. Ndërkohë, rikthimi i Declan Rice konsiderohet jetik për ekuilibrin e skuadrës, pasi mungesa e tij në ndeshjen ndaj Panamasë nxori në pah vështirësitë e Anglisë në mbrojtje.

Tuchel ka paralajmëruar lojtarët të mos nënvlerësojnë kundërshtarin, sidomos pas surprizave të mëdha që kanë shoqëruar këtë Botëror, ku Gjermania dhe Holanda u eliminuan, ndërsa Brazili siguroi kualifikimin vetëm në minutat shtesë. Sipas tij, faza me eliminim direkt nuk fal asnjë gabim dhe çdo ndeshje mund të vendoset nga detajet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu