
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se raporti i miratuar nga Partia Popullore Europiane (PPE) sugjeron krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Berisha e cilësoi dokumentin si të paprecedentë, duke theksuar se një raport i tillë nuk është miratuar më parë në një organizatë që, sipas tij, përfaqëson forcën më të madhe politike në Evropë.
“Kurrë ndonjëherë një raport i tillë nuk është votuar në një organizatë kaq prestigjioze, kaq të rëndësishme siç është PPE. Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Mbështet PD-në në të gjitha përpjekjet e saj në kushtet më të vështira”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet ta censurojë dokumentin dhe u bëri thirrje mediave dhe qytetarëve ta lexojnë raportin për të kuptuar, sipas tij, qëndrimin e Partisë Popullore Europiane.






