
Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke publikuar atë që tha se janë mesazhe të marra nga një protestues dhe diskutime të zhvilluara në grupe WhatsApp.
Në postimin e tij, Rama përdori shprehjen tiranase “ëndrra n’bezë”, duke ironizuar, sipas tij, drejtuesit e protestës.
“ONDRRA N’BEZE i quajnë tironsit këto historitë e kores së zezë të mbetjeve social-politike mbi ujin e pastër të protestës”, shkroi Rama.
Kryeministri publikoi fillimisht një mesazh që, sipas tij, i ishte dërguar nga një protestues, ku thuhej se protesta po drejtohej nga persona që synojnë pushtetin dhe se ai nuk duhet të japë dorëheqjen.
Më pas, Rama publikoi edhe një tjetër mesazh, që sipas tij ishte përcjellë nga i njëjti numër, ku renditeshin pesë pika për organizimin politik të protestës. Në to përfshiheshin kërkesa që dorëheqja e kryeministrit të ishte kushti kryesor i protestës, ngritja e një qeverie teknike përpara zgjedhjeve të parakohshme, informimi i Presidentit dhe ambasadave të SHBA-së dhe BE-së, nisja e një fronti ligjor për ndryshime kushtetuese dhe në ligjin për referendumet, si edhe përdorimi i të dhënave të censit për përgatitjen e zgjedhjeve të reja.
Rama i paraqiti këto diskutime si provë se protesta kishte objektiva politike që shkonin përtej kauzës së shpallur publikisht nga organizatorët.






