Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, e përdori foltoren e Kuvendit për të sulmuar qeverinë, duke e cilësuar librin “The Albanian Files” si një “aktakuzë” ndaj modelit të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Sipas Këlliçit, libri nuk është një botim i opozitës, por përmban dëshmi të njerëzve që, sipas tij, kanë qenë pjesë e projekteve më të rëndësishme të qeverisë.

“Ky nuk është libër i opozitës. Është libri i njerëzve që kanë projektuar Shqipërinë e Edi Ramës si çifligun e tij privat”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat tha se protestat qytetare të 30 ditëve të fundit janë reagim ndaj një modeli qeverisjeje që, sipas tij, ka kthyer shtetin në pronë private, duke akuzuar mazhorancën se refuzoi debat parlamentar për këto çështje.

Në fjalën e tij, Këlliçi pretendoi se libri tregon se vendimet për projekte të rëndësishme publike janë marrë përmes kontakteve të drejtpërdrejta të kryeministrit me arkitektë të huaj dhe jo përmes procedurave transparente.

Ai solli si shembull rrëfime të përfshira në botim, ku arkitektë ndërkombëtarë përshkruajnë telefonata dhe komunikime personale me Edi Ramën për nisjen e projekteve në Shqipëri.

Këlliçi u ndal edhe te një letër e arkitektit holandez Reinier de Graaf, e botuar në libër, duke kritikuar faktin se në të shprehet dëshira që Rama të vijojë në pushtet edhe përtej mandatit të pestë. Sipas tij, përfshirja e kësaj letre në botim është një mesazh i papranueshëm për demokracinë shqiptare.

Deputeti i PD akuzoi gjithashtu disa studio të huaja arkitekture për, sipas tij, përfshirje në propagandë politike në favor të qeverisë, ndërsa tha se shqetësimet e ngritura nga opozita përputhen me kritikat e Parlamentit Europian për ligjin e investimeve strategjike, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe çështjen e Vjosë-Nartës.

Në përfundim, Këlliçi deklaroi se qytetarët që protestojnë kërkojnë standarde europiane dhe jo, sipas tij, modelin aktual të qeverisjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu