Rezultatet laboratorike kanë përjashtuar ushqimin si shkakun e problemeve shëndetësore që prekën 64 studentë të Akademisë së Sigurisë.

Burime bëjnë me dije se analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) tregojnë se 14 mostrat e ushqimeve dhe 5 kampionet ambientale kanë rezultuar të pastra nga ngarkesa bakteriale. Analizat janë kryer për praninë e baktereve si Salmonella, E. coli dhe Listeria.

Studentët u paraqitën pak ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me të vjella dhe shqetësime të tjera shëndetësore, duke ngritur dyshime për një helmim të mundshëm ushqimor.

Ky është episodi i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Muajin e kaluar, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u prekën nga një helmim ushqimor, ndërsa analizat e asaj kohe konstatuan praninë e baktereve mbi normë në makaronat e konsumuara.

Me përjashtimin e ushqimit si shkak në rastin e fundit, hetimet pritet të përqendrohen në pista të tjera për të zbuluar arsyen e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të studentëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu