
Kryeministri Edi Rama, në “Shënimet e javës”, u ndal te disa nga zhvillimet kryesore politike, ekonomike dhe sociale, duke nisur nga debati për librin “The Albanian Files”, vizitat ndërkombëtare në Paris dhe Gdansk, projektet për infrastrukturën digjitale, memorandumi me kompaninë italiane ENI, si dhe raporti i qytetarit me administratën.
Rama e cilësoi librin “The Albanian Files” si një nga botimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban, duke theksuar se në të janë përfshirë punë dhe reflektime të 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar.
Ai hodhi poshtë akuzat se libri është një botim i kontrolluar prej tij, duke thënë se ka dhënë vetëm një tekst parathënës dhe se autorët kanë pasur autonomi të plotë në përzgjedhjen e materialeve.
“Libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar. Të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre”, u shpreh Rama.
Kryeministri komentoi edhe vizitën në Paris, ku u takua me presidentin francez Emmanuel Macron, duke thënë se fokusi ishte te partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Francës, si dhe te mbështetja për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Më tej, Rama foli për pjesëmarrjen në konferencën për rindërtimin e Ukrainës në Gdansk të Polonisë, ku sipas tij u rikonfirmua qëndrimi i Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës dhe nevoja që rindërtimi i saj dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor të shihen si pjesë e së njëjtës qasje strategjike për një Europë më të sigurt.
Një tjetër temë ishte nisma për sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik dhe kalimin gradual të kabllove në infrastrukturë nëntokësore. Rama tha se kjo ndërhyrje synon përmirësimin e hapësirës publike dhe paraprin programin e ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, që pritet të prezantohet në korrik.
Sipas tij, programi do të fokusohet te ujësjellës-kanalizimet, transporti publik i gjelbër, parkimet, rigjallërimi i zonave industriale, muzetë e identiteteve lokale dhe mbështetja për start-up-et.
Rama u ndal edhe te nënshkrimi i memorandumit me kompaninë italiane ENI, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë energjetike dhe krijimin e kapaciteteve për rezervën kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe gazit.
Në pjesën e fundit, kryeministri lexoi mesazhin e një qytetari, Amos Mezuraj, i cili i shkruante për problemin e 12 familjeve që prej gjashtë vitesh presin zgjidhje për një pallat të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 pranë Ministrisë së Jashtme.
Rama tha se ky është lloji i protestës që i intereson dhe që e zemëron, pasi lidhet me hallin real të qytetarëve dhe jo me, siç u shpreh ai, “protestën e sikur-eve”.
“Kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron dhe më motivon të vazhdoj luftën time”, deklaroi Rama.
Ai pranoi se qytetarët nuk duhet të detyrohen t’i shkruajnë kryeministrit për probleme që duhet të zgjidhen nga institucionet, ndërsa kritikoi administratën për raste kur nuk mban barrën e përgjegjësisë.
Megjithatë, Rama tha se zgjidhja nuk është “hedhja në erë” e administratës, por korrigjimi i saj, duke theksuar se problemet reale të qytetarëve nuk duhet të përdoren si “karburant” politik nga ata që, sipas tij, nuk kërkojnë zgjidhje.
“Mos e falni hallin tuaj askund. Nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni atyre që duan t’i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj”, u shpreh Rama.






