
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare.
Deklarata u bë gjatë një tubimi të mbështetësve të tij në Beograd, pas më shumë se një viti e gjysmë protestash antiqeveritare të udhëhequra nga studentët. Protestat nisën pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
“Do të jem president vetëm edhe për disa javë, pastaj do të jap dorëheqjen”, deklaroi Vuçiç, mandati i dytë dhe i fundit i të cilit ishte parashikuar të përfundonte në mesin e vitit 2027.
Vuçiç tha se do të angazhohet për fitoren e Partisë Progresive Serbe në zgjedhjet e ardhshme, por nuk dha një datë të saktë për dorëheqjen apo shpërndarjen e parlamentit, procedurë e nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Nga ana tjetër, drejtuesi i lëvizjes opozitare studentore “Move-Change”, Savo Manojlloviç, e cilësoi vendimin si një përpjekje të Vuçiçit për të paraprirë humbjen e tij politike përballë protestave dhe rritjes së mbështetjes për lëvizjen studentore.
Opozita dhe organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë qeverinë për korrupsion, keqmenaxhim, lidhje me krimin e organizuar dhe kufizim të lirive mediatike, akuza që Vuçiç dhe aleatët e tij i kanë mohuar vazhdimisht.
Serbia vijon të jetë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Brukseli kërkon përparim në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.






